Covid-19

Drejtori i Gjinekologjisë flet për gjendjen e grave shtatzëna të infektuara me COVID-19

Në Klinikën e Gjinekologjisë pesë gra shtatzëna janë të infektuara me COVID-19.

Sipas drejtorit të kësaj Klinike, Jakup Ismajli, gjendja e grave të cilat janë shtatzëna është e mirë pa ndonjë problem të theksuar.

“Për momentin sot i kemi 5 shtatzëna në repart me COVID-19, gjendja e tyre është stabile. Nuk kemi asnjë në gjendje të rëndë, dy nga to kohë pas kohe marrin edhe oksigjen por nuk është diçka për t’u shqetësuar sepse gjendja e tyre është mirë”, tha Ismajli.

Ai shtoi se në Klinikën që drejton nuk ka mungesa të cilat janë evidentuar për të trajtuar qoftë me barna apo me oksigjen pacientet me COVID-19.

Sipas raportit të fundit të ShSKUK-së, në klinikat COVID-19 të QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme, në trajtim mjekësor për COVID-19 janë 591 pacientë.

Prej tyre, 458 me oksigjeno-terapi dhe 49 në gjendje të rënduar shëndetësore në kujdes intensiv mjekësor.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë 10 qytetarë kanë vdekur nga COVID-19, ndërsa janë regjistruar edhe 173 raste pozitive me coronavirus.

/VETEM.info/

Sponzorizuar
Back to top button